Nga Roland Qafoku

Colin Powell ishte gjenerali me 4 yje i ushtrisë amerikane, por edhe kur u emërua ministër i Jashtëm – ose siç e quhet zyrtarisht në SHBA, Sekretar i Shtetit – miqtë, kolegët, madje edhe shefi i tij, presidenti George W. Bush, e thërrisnin në konfidencë, gjeneral. Edhe kur ishte këshilltar për sigurinë, i presidentit Ronald Reagan, përsëri Colin Powell e thërrisnin gjeneral. Natyrisht, kur mbante detyrat e larta në politikë, ai nuk e gëzonte gradën madhore ushtarake. Por jo vetëm backgroundi i tij prej 35 vjetësh në ushtri, vlerësohej në shkallën sipërore, por më shumë se kaq, vlerësohej vlera dhe aftësia e tij si Sekretar i Shtetit dhe si këshilltar i Sigurisë.

Ka një analogji në Shqipëri këto ditë, me ushtarakun Sandër Lleshi, që deri të premten mbante gradën gjeneral brigade; që nga e premtja, në vend të saj, mban postin si ministër i Punëve të Brendshme i dekretuar nga presidenti.

Pas 20 ditësh përplasjeje mes shefit të qeverisë dhe kreut të shtetit, Sandër Lleshi pret seancën parlamentare të së enjtes për t’u votuar, për t’u betuar më pas po te Presidenti, duke u bërë kështu zyrtarisht, ministër i Brendshëm.

Por ministri i 63-të i Brendshëm në historinë e shtetit shqiptar dhe i 25-të pas rrëzimit të komunizmit, ka përpara një sërë sfidash.

Sfida që janë ku e ku me këtë cic-micin Kryeministër – President, të këtyre 20 ditëve.

Dhjetë prej tyre, janë vendimtare dhe do të përcaktojnë edhe fatin e vetë Sandër Lleshajt, në krye të dikasterit më të rëndësishëm të qeverisë. Një ditë, vonesa e dekretimit dhe mungesa e zhgradimit ushtarak do harrohen, por nuk do harrohen kurrë gjurmët që do lërë Sandër Lleshaj në drejtimin e kësaj ministrie të rëndë.

Janë sfida të vështira që kërkojnë ndershmëri, vendosmëri, integritet dhe zbatueshmëri të ligjit, cilësi që, për hir të së vërtetës, Sandër Lleshi i zotëron. Porse nga e enjtja, për të nis realisht prova gjenerale e Gjeneralit-Ministër.

Dhe mbi bazën e punës që do të bëjë, do të shikojmë nëse shefi i tij Rama, por edhe bashkëpunëtorët, do ta thërrasin sërish gjeneral, ashtu siç bënë George Bush dhe Ronald Reagan me Colin Powell.

Ja cilat janë ato:

Sfida e parë që ka ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, është kthimi i besimit në Polici. Me katër ministra të Brendshëm në 5 vjet të kësaj shumice, policia ndjehet e goditur, e hallakatur dhe pa një bosht të stabilizuar politik.

Sulmet e marra ndaj drejtuesve të dikasterit blu, doemos që kanë ndikuar në organizatën e Policisë.

E kanë bërë atë më të ekspozuar ndaj sulmeve, e kanë lodhur dhe e kanë vënë në një pozicion aspak komod për të treguar aftësitë e saj. Pavarësisht arritjeve në këto 5 vjet, mjaftuan këto 20 ditë kur Kryeministri dhe Presidenti zhvilluan betejën e dekretimit për ministrin e ri, për ta hallakatur policinë.

Duke treguar edhe një herë se, besimi dhe mosbesimi në polici janë kaq afër dhe kaq larg njëri-tjetrit. Prandaj, ministri Lleshaj ka për detyrë parësore të rikthejë besimin në polici, realisht institucioni më i rëndësishëm i sigurisë në vend.

Ministri Sandër Lleshaj ka detyrë që në fakt çdo ministër e ka premtuar me marrjen e postit, por jo të gjithë e kanë zbatuar:

Ajo që duhet ta karakterizojë detyrën e tij, duhet të jetë qëndrimi sa më larg policisë, duke zbatuar ligjin e Policisë së Shtetit, që sanksionon raporte të distancuara si ministër dhe kështu, të mos interferojë në asnjë punë të saj.

Sandër Lleshaj e ka një shembull që për koincidencë vjen me të njëjtin background – edhe pse ky shembull është një kundërshtar i hapur politik i forcës që përfaqëson dhe i vetë ministrit të ri:

Modeli më i mirë në këto 28 vjet, se një ministër i qëndron larg Policisë së Shtetit, ishte Bujar Nishani. Natyrisht, kjo shumicë as nuk e ka e as nuk e do për model Nishanin, por duket se edukata ushtarake ka qenë më e rëndësishme dhe efikase, se sa anësia politike.

Dhe, në këtë pikë, kundërshtarit duhet t’i japin atë që i takon. Ministri Lleshaj duhet të bëjë distancimin brenda kuadrit ligjor. Në radhë të parë, duhet ta bëjë personalisht.

Në radhë të dytë, duhet ta bëjë ndaj të gjithë politikanëve të shumicës, që nisin nga shefat e vegjël politikë e deri te Kryeministri, që harxhojnë energji pa fund për të ndikuar në Polici, për të emëruar oficerë policie si beniaminët e tyre në komisariate e drejtori, në mënyrë që t’i kenë nën urdhra dhe të kontrollojnë jo vetëm votat, por edhe policinë e zonës ku janë zgjedhur.

Kjo metodë arkaike, korruptive dhe e pështirë, duhet të marrë fund një herë e përgjithmonë në Policinë e Shtetit. Telefonatave të deputetëve dhe politikanëve të pozitës për “halle” të këtij lloji, ministri Lleshaj duhet t’u thotë, jo! Deviza e ministrit Lleshaj, duhet të jetë:

Politikanë, larg duart nga Policia! Vetëm kështu mund të drejtohet normalisht dhe me sukses një ministri të Brendshme; rrjedhimisht, duke i dhënë mundësi policisë për të qenë më efikase dhe pa asnjë presion politik.

Një sfidë mbi sfidat që ministri Lleshaj ka përpara, është ajo e vendosjes së rendit brenda rendit. Ministri i ri ka një avantazh, sepse pak kohë më parë është miratuar ligji i vettingut në polici dhe atij i duhet vetëm ta zbatojë.

Është një proces edhe më i rëndësishëm edhe se ai në drejtësi. Është i tillë, sepse çdo hetim dhe çdo dosje kriminale nis nga polici i thjeshtë dhe vetëm më pas shkon në duart e prokurorit ose gjykatësit.

Dhe sado të ndershëm e të aftë të jenë gjykatësit, nëse një polic krimesh shkatërron provat dhe abuzon me dosjen, nuk ka gjykatës në botë që dënon vrasësit dhe kriminelët.

Ndërkaq, policët milionerë në Policinë e Shtetit janë dhe duhet të cilësohen si mish i huaj.

Është pikërisht kjo kastë policësh të cilët, duke qenë pronarë biznesesh, vilash, pallatesh e deri kompanish, kanë hedhur tymnajë në opinion, duke thënë se vettingu në polici është një padrejtësi.

Po në këtë aspekt, lidhjet e policisë me krimin dhe deri organizatat kriminale, janë edhe më të rënda. Policë që dekonspirojnë operacionet e policisë dhe ata që kur marrin një denoncim me telefon, më parë njoftojnë autorin kush e spiunoi se sa shkojnë për ta arrestuar atë, duhet të flaken nga radhët e policisë!

Të tillë policë nuk janë pak dhe një nga linjat e sulmit ndaj ish-ministrit Xhafaj, ishin pikërisht nga ata që prekeshin nga vettingu.

Prandaj, rendi brenda rendit është sfida madhore e Lleshajt, një sfidë që i duhet të përballet që nga dita e parë, deri ditën kur ta lërë këtë detyrë. Natyrisht, nis që me etikën në punë, për të cilën pak ditë më parë Lleshaj nxori një urdhër për të ndaluar qëndrimin në bar-kafene.

Kjo është një arsye më shumë se, rendi brenda rendit nis pikërisht duke ndaluar qëndrimin e policëve në lokale, gjatë orareve të shërbimit. Atje ku ka rregulla të forta, ka edhe cilësi në punë.

Ministri i ri, Sandër Lleshaj, duhet të vijojë luftën ndaj bandave dhe grupeve kriminale, atje ku e la paraardhësi i tij. Lufta ndaj tyre, në të gjithë vendin, është një proces që nuk duhet të ndalojë dhe një gjë e tillë është detyruese, jo vetëm për gjithë Shqipërinë, por kjo e artikuluar edhe nga ndërkombëtarët si pjesë e procesit të integrimit në BE.

Natyrisht që, luftën ndaj bandave nuk e bën ministria e Brendshme, e bën Policia e Shtetit. Por besimi dhe inkurajimi ndaj policisë, duhet të sjellë pa diskutim rezultate reale të prekshme, për të treguar se mbi gjithçka në këtë vend është zbatimi i ligjit.

Ministri Lleshaj ka një avantazh, sepse ka përvojën e paraardhësit të tij Fatmir Xhafaj dhe si e tillë, do ta ndihmojë në këtë drejtim.

Megjithatë, nëse do të vijojë ose jo si matës, është arrestimi i peshqve të mëdhenj dhe jo disa fakirëve, sepse ndryshe opinioni nuk do mendojë pozitivisht dhe askush nuk do ta kursejë ministrin Lleshaj.

Nuk është nevoja që, në zonën e ish-Bllokut, të shkojë dhe të jetë i pranishëm Drejtori i Policisë së Shtetit. Ajo zonë ka inspektorët e saj, komisariatin dhe kreun e saj.

Nëse këto hallka nuk funksionojnë dhe në këtë zonë qarkullojnë armë, drogë dhe persona në kërkim, ata oficerë policie nuk mund të jenë më në detyrë.

Kur kjo nuk funksionon, zgjidhja nuk është mbërritja në zonë e drejtuesit më të lartë të Policisë, sepse kjo do të thotë dështim. Kështu i bie që, një ditë, nëse do ketë një ngjarje edhe më të rëndë se ajo në lokalin e vrasjes së para pak javëve, ne të shohim në zonën e ish-Bllokut edhe vetë gjeneral Lleshajn dhe kjo do ishte edhe më e rëndë.

E morëm këtë shembull për të treguar se, beteja ndaj të fortëve është e përhershme në çdo zonë, në lagje e në çdo qytet të Shqipërisë. Arrestimi i tyre është dhe do të jetë një sfidë në llogoren e luftës, që gjeneral Leshaj e njeh shumë mirë.

Lufta ndaj korrupsionit, në të gjithë frontet, është një proces mjaft i rëndësishëm. Në radhë të parë, brenda radhëve të policisë, por paralelisht edhe në të gjitha nivelet. Duket në pamje të parë se, lufta ndaj korrupsionit është punë vetëm e institucioneve të tjera si prokuroria ose Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Por në fakt, sektorët e ekonomisë në polici janë tashmë me struktura të rregullta që duhet të vihen në funksione. Nëse këto sektorë vihen në eficiencë të plotë, atëherë lufta ndaj korrupsionit bëhet në të gjitha frontet.

Është një sfidë që natyrisht në bashkëpunim edhe me institucionet e tjera, jep frutat nëse ka angazhim.

Edhe pse ka arritje në luftën ndaj drogës, Shqipëria ende nuk është hequr nga harta për një gjë të tillë. Mjafton të themi se, nga Italia vijnë çdo ditë lajme se të gjithë lumenjtë e drogës nga Shqipëria drejt Apenineve rrjedhin – kjo do të thotë se ne vazhdojmë të jemi hambari që furnizojmë këtë shtete, por edhe kontinentin.

Së pari, ministria e Brendshme dhe policia duhet të pranojë publikisht se, me drogën Shqipëria e kësaj qeverisjeje, dështoi. Së dyti, duhet të pranojë që e mbushi vendin me hashash dhe vetëm këto dy vitet e fundit, qeveria po e lufton atë seriozisht.

Nëse kjo ministri nuk pranon situatën e kanabizimit të vendit, është më mirë të mos e zërë në gojë se e luftoi atë – gjë që nga kryeministri e deri te politikani më i thjeshtë në PS, mburren duke bërë humor të pavetëdijshëm.

Nuk mund të luftosh drogën, pa e patur atë dhe kjo shumicë e kishte në të gjithë territorin dhe vetëm tani po e lufton. Megjithatë, situata aktuale është për luftën ndaj drogës së depozituar në hambarë dhe skuta të fshehta, por edhe për luftën ndaj drogave të forta – si heroina dhe kokaina.

Është një betejë e fortë ndaj grupeve të pasur dhe deri me pushtet politik. Prandaj policia duhet të ketë një strategji të veçantë dhe duke bashkëpunuar me partnerët ndërkombëtarë, duhet që jo vetëm ta bëjë, por edhe ta fitojë këtë betejë.

Aktualisht në Shqipëri, ka dy polici: Njëra është ajo që është në punë dhe tjetra është ajo që është pa punë dhe pret të kthehet në punë.

Ajo që u bë në vitet 2013 dhe 2014 që, me një të rënë të lapsit, vetëm u larguan oficerë policie një mijë kuadro, pa llogaritur policë të thjeshtë, duhet të rregullohet në mënyrë të menjëhershme.

Nuk mund të shkojë që në Shqipërinë tonë me kaq shumë probleme me rendin dhe sigurinë, të kemi një situatë që oficerë policie për të cilët ky shtet harxhoi pará për arsimimin e formimin e tyre të jenë në rrugë, dhe kjo të bëhet me ligj.

Ministri Lleshaj ka për detyrë të rishikojë këtë situatë nëpërmjet shoqatës së policëve në lirim, për të bërë të mundur rikthimin e atyre potencialeve me vlerë në polici. Besoj se shumica e tyre, janë ende të denjë për këtë rikthim.

Rasti i kolonel Artan Cukut, që u vra për shkak të detyrës, pasi ishte liruar nga kjo detyrë, është një krim nga segmentet e shtetit që e flaku në rrugë. Atë e vranë sepse punoi për këtë shtet.

Nëse kjo shumicë ka patur një defekt kryesor në polici, ka qenë mungesa e zërit të policisë. Nuk ka asnjë periudhë tjetër që në 5 vjet, të katër Drejtorët e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, të mos kenë dhënë qoftë edhe një konferencë të vetme për shtyp.

Dhe konferencë për shtyp do të thotë jo që drejtori të lexojë deklaratën e shkruar nga ministri, por në cilësinë e autoritetit më të lartë të policisë, t’i përgjigjet pyetjeve të gazetarëve të kronikës së zezë.

Një polici e fortë, aktive dhe me koncepte të hapura me media, është e aftë të përballet me çdo lloj interesimi mediatik.

Në të kundër, çdo mungesë kontakti me median, refuzim ose centralizim i saj në ministri e aq më keq në kryeministri, do të ishte gabim publik për transparencën dhe një armë e fortë e kundërshtarëve politikë për ta sulmuar policinë, në të gjitha format dhe sidomos me atë që sot quhet fake news.

Ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, riktheu një traditë pothuajse të zhdukur në Shqipëri. Policimi në komunitet tregon se, policia nuk është ajo e zyrave dhe godinave, por ajo që qëndron e lidhur me komunitetin.

Një nga detyrat dhe sfidat e ministrit Lleshaj është se duhet ta vazhdojë këtë praktikë, sepse vetëm kështu policia sjell besim, bashkëpunim me popullatën dhe nuk pozicionohet si armike e saj.

Përvoja botërore perëndimore është se, masa e njerëzve dhe policia janë kurdoherë në bashkëpunim ndaj keqbërësve dhe dukurive negative. Populli dhe policia nuk mund të rrinë në llogore kundërshtare, por në të njëjtën llogore kundër krimit.

Në këtë drejtim, forcimi i punës me inspektorët e lagjeve është dhe duhet të jetë një pjesë e rëndësishme e punës dhe politikave të ministrisë së Brendshme.

Nuk ndodh as krimi më i vogël që banorët në një lagje dhe një fshat në Shqipëri, të mos e dinë. Por lagjja e tregon krimin, nëse ajo ka besim te policia dhe vetëm kështu, bashkëpunon me të.

Në të kundërt, ajo e fsheh. Prandaj, policimi në komunitet, merr një vlerë të veçantë në këtë drejtim dhe ministri Lleshaj duhet ta ketë në prioritetet e punës së tij.

Autore:M.Haxhiu