Në Shqipëri do të ndihesh më i diskriminuar se në çdo vend tjetër të Europës, nëse nuk ke mjaftueshëm të ardhura ose je pa punë. Ky është rezultati i një sondazhi të zhvilluar nga Komisioni Europian.

Shqipëria, një nga shtetet me të ardhurat më të ulëta për frymë në Europë, i sheh me diskriminim të varfrit.

Bazuar në përgjigjet e të anketuarve, rreth 33% e shqiptarëve, i shohin me përçmim të varfrit, përqindje kjo më e lartë se mesatarja e Europës, e cila është 14%.

Shqipëria ka diferenca të mëdha edhe me vendet e rajonit, ku Vetëm 11% e malazezëve pohojnë se ata shihen me përçmim për shkak të situatës me punën dhe të ardhurat, 18% e turqve, 19% e serbëve dhe 20% e maqedonasve. Kjo do të thotë se në Shqipëri nuk ka rëndësi sesi dukesh nga pamja e jashtme, pasi njerëzit në të shumtën e rasteve do të të shikojnë nga xhepat. Për shkak të këtij fenomeni është krijuar edhe stereotipi i ‘tullacit me x6’

Pas Shqipërisë renditet Rumania (27%), ndërsa shtetet që e kanë më të ulët përçmimin ndaj të varfërve janë Suedia, Spanja dhe Sllovakia, me vetëm 8%.

Ata që ndihen më shumë të diskriminuar janë meshkujt, me 36% të tyre që kanë rënë dakord me pyetjen, në raport me 30% të femrave shqiptare.

Adoleshentët shqiptarë nuk e vrasin shumë mendjen, teksa 19% e grupmoshës nga 18-24 vjeç binin dakord me pohimin në fjalë.

Ata që e vuajnë më shumë janë të rinjtë e moshës nga 25-34 vjeç, kur dhe pritshmëritë ndaj tyre janë më të larta, raporton Monitor. 38% e tyre u përgjigjën se shihen me përçmim për shkak të situatës me punën apo të ardhurat.

Ndërsa rekordin e mban grupmosha 35-49 vjeç, ku dakord me pohimin ranë 43% e të anketuarve, shumë më e lartë sesa mesatarja europiane prej 15%.

Të varfrit e ndiejnë më shumë, me 44% të grupit I (ku kategorizohen ata me të ardhura më të ulëta) që pohojnë se shihen shtrembër pasi nuk kanë një punë të mirë apo shumë të ardhura.

Të dhëna të tjera të Fondit Monetar Ndërkombëtar tregojnë se dy shtetet shqipfolëse, Shqipëria dhe Kosova, renditen të fundit në Europë (pa përfshirë vendet e ish-Bashkimit Sovjetik) për të ardhurat për frymë.

Për vitin 2018, Shqipëria vlerësohet të ketë të ardhura për frymë prej 5261 dollarësh, në vend të 102 nga 191 shtete, duke u përmirësuar me katër vende në raport me 2017-n, kur ishte në pozicionin e 106. Kosova, me të ardhura për frymë prej 4,324 dollarësh, renditet e 112-a