Këngëtarja Filloreta Raçi, e njohur si Fifi, duket ka qëlluar në shenjë në duetin me Kreshnik Fazliun, Mc. Kreshën në “Kënga Magjike”, pasi deputimi i tyre numëron mijëra klikime në “Youtube”, vetëm brenda një jave.

 

 

Balada me titull “Psikopatja jote” vjen si një dialog skenik mes dy të dashuruarve të lënduar nga njëri-tjetri, duet në të cilin këngëtarët e kanë sjellë me vargjet e shkruara nga vetë ata.

 

 

Prezantimi i tyre në këtë festival ka ndodhur pikërisht të dielën mbrëma, duke ardhur me një baladë mjaft të pëlqyer nga publiku, interpretim pas të cilit Fifi u shpreh: “Kam shumë njerëz për të falënderuar, por nuk do ta zgjas domethënë më shumë se kaq. Faleminderit që e mbështetët këtë projekt dhe u bëtë pjesë e saj”, ka shkruar Fifi në njoftimin lidhur me këngën e re, duke falënderuar në radhë të parë natyrisht MC Kreshën.

 

 

Dy artistët njihen për cilësitë e tyre muzikore dhe kësaj here i kanë bashkuar ato për të sjellë një projekt të përbashkët, që po komentohet si një nga favoritet për të fituar këtë edicion të “Kënga Magjike”, i 20-ti në historinë e tij.

 

 

Fifi, e cila vjen në këtë festival edhe si autore e disa këngëve mjaft të pëlqyera, tashmë ka filluar të vrasë mendjen për performancën skenike në netët finale të festivalit. Gjatë intervistës që Bora Zemani u bëri këngëtarëve brenda Pallatit të Kongreseve, ku po shikonim ndërtimin e skenografisë nga afër, Fifi dukej në stres, pasi tha se nuk ndihej e denjë për atë skenë, se është 20 kilogramë mbipeshë.

 

 

Edhe pse ajo ka tentuar të humbasë kilogramë, përsëri duket se nuk ia ka dalë, pasi që në fillimet e saj, ajo është identifikuar për kilet e tepërta. Por për natyrën e saj sportive, ajo është shprehur se prapë ndihet si “një kukull”, pasi i pëlqen bukuria që ka. Vitet e fundit, Fifi ka lënë Kosovën për të nisur një jetë të re në Tiranë.

 

 

Përveç koncerteve “live” në lokalet e natës dhe bashkëpunimeve me emra të njohur, ajo është pjesë e televizionit, në fillim si pjesë e programit “Xing me Ermalin” dhe tashmë në programin “Shiko kush luan” me Luana Vjollcën. Karriera e saj ka filluar në moshën 14-vjeçare me pjesëmarrjen në “Kosovarja këndon”, ndërsa më pas ka marrë pjesë edhe në shumë “talent show” e të tjerë festivale, siç ishte “The Voice”. Vëtm këtë vit ajo ka publikuar disa klipe si; “Nanush 1” dhe “Nanush 2”, “Habibi”, në bashkëpunim me Lamar, apo “Krimineli Zemrës”.