Melisa Braçi, studente e Juridikut në Universitetin ‘’Luigj Gurakuqi’’ në Shkodër ka dhënë dorëheqjen nga Këshilli Studentor pasi sipas saj, ky këshill po përdoret si Kalë Troje nga bordi i universitetit për të shuar protestën e studentëve shkodranë.

‘’U shkëputa për shkak të debateve të stafit drejtues dhe këshillit të studentëve në lidhje me protestën e studentëve. Shumë prej anëtarëve të bordit nuk ishin dakord që të merrnim pjesë në një protestë të ligjshme dhe e zakonshme në çdo vend të botës. Një protestë për një kauzë të drejtë ku duke marrë parasysh situatën ekonomike të Shqipërisë tarifat janë të papranueshme dhe të papërballueshme,’’ – u shpreh Braçi.

Ajo shtoi se ka presione ndaj studentëve si dhe njëfarë frike nga studentët por sipas saj shkodranët nuk janë frikacakë sa t’i dëgjojnë këto kërcënime që vijnë nga korridoret e politikës. Sipas Braçit, ky presion nuk do të arrijë deri tek studentët të cilët janë në të drejtën e tyre dhe po zhvillojnë një protestë apolitike.

Në deklaratën e saj të dorëheqjes ajo shkruan ndër të tjera: “Dëshira për të mos e kthyer këtë institucion në një ‘’kalë Troje’’ të aspiratave personale, përbëjnë sot motivet determinante të kërkesës time për tërheqje“.

Studentja ka informuar se në Universitetin e Shkodrës ka studentë që po zhvillojnë procesin mësimor, por pjesa më e madhe e tyre e kanë bojkotuar.