BASHA KA SHKUAR KUDO, PSE NË DIBËR JO!

16 shkurti po vjen dhe pritshmëritë janë për protestë masive. Protestat janë vetëm shëndet për çdo demokraci e sidomos me këtë tonën që vazhdon me dy këmbë, një këmbë akoma nga e kaluara e një gjysmë hap drejt nga e ardhmja.

Basha është dibran. Kjo është e sigurt! Basha ka pak lidhje me realitetin politik aktual të Dibrës. Pse? S’ka qenë kurrë komunist! Ka jetuar shumë pak ose hiç në Diber. Nuk është shkolluar në Shkodër apo në Durrës! Nuk ka bërë shkollë nate! Nuk ka e ka bërë të lartën në këmbim të kileve të groshës apo të arrave. Nuk e ka bërë të mesmen natën dhe të lartën me pjesëmarrje në mitingje, por ka mbaruar në Tirane dhe Holandë. Nuk është në krye të PD-së që nga ’97 e deri më sot.
Di që strukturat e PD-së në Dibër, pa hyrë në formatin se si janë zgjedhur, kanë dërguar propozimet e tyre për kandidatura të Bashkisë së PD-së. Asnjëri prej tyre nuk është në formatin e Bashës e pak prej tyre bëjnë pjesë në formatin që kërkon Shqipëria evropiane. Di që të gjithë kandidatët e PD-së Dibër kanë të përbashkëta:
1. Janë mbi 50 vjeç

2. Të konsumuar e të provuar

3. S’kanë risi

4. Janë fajtorë për humbjet e vazhdueshme të PD-së

5. E kanë mbyllur PD në një grup burokratësh dhe personash që politiken e kanë mjet jetese e përfitimi.

Shumë prej tyre kanë shpresuar që Basha të shkonte në Dibër, ashtu siç shkoi në qarqet e tjera dhe të zyrtarizonte ndonjërin prej tyre për bashkinë. Basha zgjodhi të mos shkonte në Dibër! Pse?

A është një bojkot që Basha u bën strukturave aktuale të PD bashkë me propozimet që ata i kanë dërguar në Tiranë? Unë, them po!

Megjithatë, përgjigjen përfundimtare, le t’ia lëmë kohës.