Së pari, duke qenë se jetoj, punoj e kam studiuar në Europë, nuk kam asnjë lloj kompleksi që të bëj kritika kundër europianëve përballë shqiptarëve.

Së dyti, bëj pjesë tek ato njerëz që nuk jetoj nga OJQ dhe nuk kam marrë kurrë fonde nga institucionet europiane, si dhe nuk jetoj në mëshirën e këtyre institucioneve. Prandaj, jam i lirë të them atë që mendoj.

Së treti, duhet të themi hapur se korrupsionin nuk e kemi shpikur ne, por ai ishte dhe është i pranishëm dhe shumë fuqishëm në të gjitha vendet europiane. Le të marrim një rast konkret, ish Guvernatori i Lombardisë është dënuar këto dite me 5 vjet burg, për afera korruptive në lidhje me sistemin e shëndetësisë.

Së katërti, ku ka njerëz ka mëkatarë dhe nuk ka të vërtetë absolute, por relative sipas rrethanave dhe interesave.

Së pesti, BE është vetë një simbol i egër korrupsioni dhe kjo ndodhe për shkak të natyrës së saj hibride.

Së gjashti, në një vend të varfër dhe me probleme serioze si Shqipëria, të huajt, kur vijnë tek ne e konsiderojnë muaj mjalti dhe pasurimi.

Së shtati, natyra e një diplomati është të pasurohet në këmbim të informacioneve që shkëmben.

Së teti, BE, ka ndikuar negativisht duke ndërhyrë në punët e brendshme të Shqipërisë. Ajo nuk ka pasur një strategji në gjithë këto vite për ta shëruar Shqipërinë nga e keqja, por ka ecur me idenë absurde duke zgjedhur si zgjidhje të keqen më të vogël. Përballë kësaj strategjie fenomenet e gabueshme të politikës shqiptare nuk i kanë konsideruar si negative, por i kanë trajtuar në mënyrë oportune.

Së nënti, sa u përket zgjedhjeve të fundit, institucionet europiane kanë nguruar të thonë të vërtetën, por edhe ta pranojnë të vërtetën. Për këtë kam qenë vetë dëshmitar, kur donim t’u dorëzonim raportin që kishim bërë për zgjedhjet e fundit e nguronin ta merrnin, ose edhe kur e morën nuk morën asnjëherë asnjë feedback.

Se dhjeti, ne, shqiptarët vazhdojmë të kemi kompleks inferioriteti, duke konsideruar këdo që vjen nga BE si më të mirë se vetja, më të përgatitur se vetja dhe më të ndershëm se vetja. Ju garantoj që s’kanë asgjë më shumë se ne e në shumicën e rasteve edhe profesionalisht jam më keq se ne.