Çdo të shtunë në programin “Dua të të bëj të lumtur” janë trajtuar tema sociale nga më të ndryshmet, të tilla si gjakmarrja, dhuna në familje, probleme të të rinjve, si edhe vështirësitë ekonomike.

Mbrëmjen e sotme në qendër të vëmendjes të programit “Dua të të bëj të lumtur” ishin të moshuarit, një pjesë e shoqërisë e cila është lënë në harresë.

Linda kuzhinierja e shtëpisë së të moshuarve të Tiranës i ishte drejtuar programit “Dua të të bëj të lumtur” për t’i bërë një surprizë atyre. Prej 7 vitesh ajo punonte në këtë institucion dhe rrëfeu se ishte e lumtur që gatuante dhe kujdesej për ta.

“Të moshuarit e meritojnë dhe të gjithë që kanë të moshuar në shtëpi duhet t’i japin dashuri pa fund. Mosha do të na vijë dhe ne shumë shpejt dhe vetëm dashuria na mban.”,- u shpreh Linda.

Ftesa e programit nuk i ishte dërguar vetëm të moshuarve të qytetit të Tiranës, por edhe të moshuarve që jetojnë në azilin e Kamzës dhe të Kavajës. Gjatë bisedës që u zhvillua në studio, të moshuarit rrëfyen se si është të jetosh në shtëpinë e të moshuarve dhe vështirësitë që ata hasin çdo ditë.

Në fund surpriza që moderatoja Arbana Osmani kishte rezervuar për ta ishte një udhëtim me autobus në Budva.