Pashkët janë një ndër festat më të dashura për të gjithë . Një ditë e shënuar, ku e gjithë familja mblidhet në tryezat festive për të shijuar gatimet karakteristike të kësaj dite kaq të dashur për ne.

Kur vjen tek gatimet, nënat tona dinë si t’i sjellin ato plot shije e dashuri, me recetat karakteristike shqiptare për ditën e Pashkëve. E tillë është edhe receta që gatuhet nga besimtarët katolikë, por që është një recetë për të gjithë e për çdo moment.

Pikërisht këtë recetë, po jua sugjerojmë sot.
Përbërësit: • 1 kg miell • 5 kokrra vezë • 300 gr sheqer • 200 gr gjalpë i shkrirë •250 gr miell• 3 paketa maja të vogla 10gr (30gr) • 1 lugë kafeje kripë • 1 gotë uji me qumësht të vakët • (200gr)lëkurë të grirë të 1 kokrre portokalli • 1 të verdhë veze për lyerjen nga sipër para pjekjes.

Përgatitja: Marrim miellin në fillim dhe e përziejmë bashkë me majanë dhe qumështin e vakët, dhe e lëmë në një vend të mbuluar të vijë për 20 minuta. Në një enë tjetër marrim vezët, sheqerin, kripën dhe miellin që na mbeti dhe i përziejmë të gjitha bashkë. Marrim masën e përgatitur më përpara pasi kanë kaluar 20 minuta dhe i përziejmë bashkë.

Hedhim ngadalë gjalpin e shkrirë deri sa të na bëhet një brumë i butë. E lëmë të mbuluar deri sa të vijë dyfishi i brumit. Në momentin që brumi ka ardhur dyfish e përgatisim në forma të ndryshme. Marrim tavën dhe e lyejmë me gjalpë. Vendosim brumin e bërë në forma.

Pasi i kemi vendosur të gjitha format e bëra në tavë, e vendosim në furrë dhe lëmë deri sa të fryhen prapë. Në momentin që brumi ka ardhur, marrim një të verdhë veze dhe i lyejmë nga sipër me një furçë kuzhine. I pjekim në temperaturën 150° për 35-40 minuta. Ju mund të vendosni vezë në mes të brumit, kjo varet nga dëshira juaj.